Pse 30 mjekë dhe infermierë nisen drejt Italisë?

 

Një shprehje e mençur popullore thotë: “miku i mirë njihet në ditë të vështirë”. 

Shqipëria edhe pse një vend i vogël dhe me ekonomi të brishtë tregoi që është një vend me zemër të madhe për të ndihmuar fqinjin e saj në vështirësi.

Po ne jemi vetë në vështirësi këto ditë, a ishte ky momenti që ne të bënim një veprim të tillë? Italia është vendi europian ku më shumë se kudo tjetër në ndihemi si në shtëpinë tonë të dytë. Është vendi që në ditët më të vështira të vendit tonë na shtriu dorën si askush tjetër. Është vendi që në vitet ’90 na dha mundësinë të preknim nga afër ëndrrën perëndimore duke hapur dyert e shtëpive të tyre për të ndihmuar me sa kishin mundësi. 

Shumë prej nesh në një formë apo një tjetër jemi të lidhur me Italinë nëpërmjet familjarëve, njerëzve të afërt dhe sidomos eksperiencave personale.

Ne në Habitat kemi një eksperiencë të gjatë personale dhe profesionale në Itali (dy drejtueset e agjensisë kanë jetuar në Itali për një kohë të gjatë) dhe kemi qenë dëshmitare të asaj që studentëve dhe qytetarëve shqiptarë u është ofruar atje. Jo vetëm një mundësi shkollimi perëndimor me akses në çdo institut edukimi dhe me bursa të plota studimi, por edhe një jetesë me pasuri kapitale të pafundme në fushën historisë, punës, artit, kuzhinës dhe kulturës së atij vendi.

Sot ne të gjithë duhet ndihemi borxhlinj kundrejt një vendi që në momentet tona të vështira na mirëpriti me zemërgjerësi, na dha mundësinë e një jete të re dhe cilësore, të një shkollimi cilësor të barabartë me shtetasit italianë dhe të marrjes së shumë profesioneve që shumë prej nesh tashmë i ushtrojmë me sukses në vendin tonë. Një provë e kësaj që po themi janë mjekët dhe studiuesit e shumtë shqiptarë me diploma italiane që punojnë në vendin tonë, por edhe ata që jetojnë në Itali dhe popullojnë studiot tona televizive këto ditë me lidhje telefonike apo Skype.

Këto ditë të vështira marrim pafund telefonata dhe mesazhe nga miqtë tanë italianë që na falenderojnë nga zemra për ndihmën simbolike por me peshë të madhe që Shqipëria po i jep sot Italisë.

Ky veprim na bën të ndihemi krenarë për gjestin human të Shqiptarëve që edhe pse një zonë me rrezikshmëri të lartë infektimi, dërgoi profesionistë, të rinj e të reja në linjën e parë të frontit, për të ndihmuar një mik në vështirësi. Urojmë edhe shpresojmë që “bluzat tona të bardha” ta kalojnë edhe këtë sfidë të madhe me sukses dhe të kthehen shëndoshë e mirë në atdhe dhe le ta themi, edhe kësaj rradhe, me një eksperiencë të madhe mbi shpatulla.

Sot ne mund të themi “Jam krenar që jam Shqiptar!”