Si të përballojmë sa më lehtë ditët e Karantinës.

Në këto ditë të vështira që po kalon vendi ynë, pavarësisht skepticizmit apo neglizhencës, duhet bërë kujdes maksimal dhe duhen respektuar maksimalisht kushtet e izolimit si e vetmja masë e sigurt mbrojtëse.
Nga ana tjetër, një periudhë e gjatë qëndrimi në shtëpi mund të jetë e vështirë të përballohet, prandaj kemi menduar t’ju vijmë në ndihmë me disa sugjerime dhe këshilla se si të kalojmë sa më lehtë ditët e Karantinës.
Disa këshilla nga Habitat:
1.    Të respektojmë të gjithë pa përjashtim urdhërin për të qëndruar në shtëpi.
Megjithëse mund të ngjajë si e tepruar apo si një masë jo shumë efikase, qëndrimi në shtëpi, duke krijuar izolim të plotë dhe mungesë kontakti me këdo parandalon marrjen e virusit nga njerëz që mund ta kenë atë edhe pa e ditur por sidomos na pengon që t’ia transmetojmë atë edhe të dashurve tanë më të moshuar të cilët siç e kemi mësuar, janë edhe grupmosha më e rrezikuar. Thënë ndryshe, vetëizolimi është mbi të gjitha një akt i lartë altruizmi dhe përgjegjësie.
Nëse dikush mendon se kjo masë është e vështirë të të përballohet, të kujtojë se “gjyshërve tanë iu është kërkuar të shkojnë në luftë, ndërsa neve thjesht të qëndrojmë në divan”.
2.    Të luajmë sa më shumë me fëmijët.
Shtresa tjetër për të cilët duhet të kujdesemi veçanërisht këto ditë janë fëmijët. Në këtë situatë të jashtëzakonshme dhe të vështirë për këdo, qëndrimi në shtëpi për fëmijët është i vështirë edhe sepse ata nuk kanë as informacionin dhe as formimin e duhur për të kuptuar drejt këto masa. Ajo që duhet të bëjmë është të kujdesemi që ata ta vuajnë sa më pak izolimin duke i krijuar kushte për të bërë sa më shumë lojra interaktive si mundësi për të vizatuar, për të ndërtuar objekte të ndryshme me Lego, për të praktikuar ndonjë vegël muzikore për ata që kanë mundësi apo edhe krijuar kushtet për seanca Joga ku ata të ndihen sa më të përfshirë dhe aktivë.
3.    Të gatuajmë pjata të shijshme për familjen.
Kjo gjë është një mënyrë shumë e përshtatshme për të perfeksionuar aftësitë tona në fushën e kuzhinës duke përgatitur çdo ditë pietanca të shijshme dhe dietike. Të mos harrojmë që ruajtja e formës fizike është diçka për të cilën të kujdesemi në çdo kohë. Një ide interesante mund të jetë edhe ajo e një gare në familje për të realizuar pjatën më të shijshme apo kreative. Në fund të fundit, edhe detyrat e shtëpisë duhen ndarë në mënyrë të balancuar. Të mos harrojmë që të gatuash është një veprimtari antistres e vërtetuar që i bën mirë si burrit ashtu edhe gruas :).
4.    Të lexojmë libra profesionalë apo romane për të kaluar kohën.
Në kohët e sotme ne të gjithë bëjmë një jetë intensive dhe koha nuk na mjafton asnjëherë për asgjë. Befas tashmë gjendemi në një situatë paradoksale ku kohën e kemi me tepricë. E pra, le ta shfrytëzojmë atë edhe në mënyrë konstruktive duke lexuar libra profesionalë që do të na ndihmojnë të përmirësojmë njohuritë dhe eksperiencën tonë në profesion. Në këtë mënyrë, kur të kthehmi në punë do të jemi në superformë.
Ndërsa librat artistikë do të jenë një mik i mirë yni për të na larguar mendjen nga stressi i krijuar dhe për të na çuar larg, atje ku fizikisht nuk do të shonim dot kurrë, edhe përtej izolimit.
5.    Të ushtrojme për të paktën 30 min në ditë cdo lloj aktiviteti fizik që mund të kryhet në kushte shtëpie.
Siç e thamë më lart, shumë njerëz në këto kushte përforcojnë marrëdhënien e tyre me sektorin gastronomik. Kjo gjë duhet kontrastuar me aktivitet fizik të rregullt dhe të përditshëm. Qoftë edhe 30 minuta në ditë, të përdorura në mënyrën e duhur do të na shërbenin për të qëndruar në formë të mirë fizike.
6.    Të ulemi përpara televizorit dhe shohim bashkë me të dashurit tanë filmat që nuk kemi patur asnjëherë kohë ti shohim.
Kjo na duket një ide që nuk ka nevojë për shumë shpjegime. Të gjitha gjërat që përshkruam më lart krijojnë njëfarë ngarkese që një film i mirë do të na e lehtësonte.
7.    Lidhuni cdo ditë në telefon me të afërmit dhe miq tuaj për t’u siguruar që janë mirë dhe për t’i shprehur të gjithë mbështetjen tonë.
Sot jetojmë në epokën e komunikimit dhe brezi ynë është shumë më fat për këtë gjë. Në situata të tilla, smartfonin tonë duhet ta përdorim jo vetëm për të kaluar kohë në rrjetet sociale apo për t’u informuar, por edhe për funksionin e tij “primitiv”: telefonata me të afërmit dhe miqtë për t’u qëndruar atyre sa më pranë dhe për të mbajtur gjallë çdo marrëdhënie me miqtë tanë.
8.    Ruani qetësinë edhe pozitivitetin.
Nëse nuk jeni patjetër tipi iperaktiv që do stamponte një bluzë me sloganin “Keep Calm and be positive” duhet të dini se qetësia dhe pozitiviteti në kët kushte ndikojnë për mirë në shëndetin mendor tuajin dhe të të afërmve tuaj. Stressi dhe negativiteti, nëse nuk luftohen janë një armik shumë i rrezikshëm, por që ju do t’i bëni ballë në mënyrën më të mirë nëse do të ndiqni këshillat tona miqësore.
 
Mbi të gjitha ju këshillojmë ta përdorim këtë kohë që TË DUHEMI MË SHUMË! 
Të bashkuar do ta kalojmë edhe këtë sprovë të vështirë!
 
Një përqafim nga larg nga Habitat!